Përkeqësohen mungesat e ushqimit, Kuba i kërkon OKB-së ndihmë

Botë | 3 vite më parë

Qeveria e Kubës i ka kërkuar për herë të parë programit ushqimor të OKB-së ndihmë, pasi mungesat e ushqimit në ishullin e drejtuar nga komunistët po përkeqësohen.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha se kishte marrë një kërkesë zyrtare të paprecedentë nga qeveria kubane për ndihmë në sigurimin e qumështit pluhur për fëmijët nën moshën shtatë vjeç.

Kërkesa është një shenjë e seriozitetit të krizës ekonomike të Kubës. Përveç mungesës së qumështit, karburantet dhe ilaçet po mbarojnë gjithashtu.

WFP tha se tashmë kishte filluar dërgimin e qumështit pluhur në ishull.

Qumësht pluhur dhe ushqime të tjera bazë u ofrohen kubanezëve me një çmim të subvencionuar, por vonesat dhe mungesa e furnizimeve janë të zakonshme, veçanërisht në kohë vështirësish ekonomike.

Sistemi u prezantua për herë të parë në vitin 1962 nga lideri i atëhershëm kuban, Fidel Castro pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në ishull, gjë që përkeqësoi mungesat.

Qeveria kubane vazhdon të fajësojë sanksionet e vazhdueshme amerikane për gjendjen e rëndë të ekonomisë së saj, por kritikët thonë se keqmenaxhimi i qeverisë qëndron pas krizës aktuale ekonomike, më e keqja në tre dekada./ BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme