Bombardimet në Gaza, SHBA-ja propozon rezolutë për armëpushim të përkohshëm

Botë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një projekt-rezolutë në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për armëpushim të përkohshëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dokumenti kundërshton edhe një ofensivë të madhe tokësore që Izraeli po planifikon në qytetin jugor të enklavës Rafah.

Uashingtoni, deri më tani, nuk e ka përdorur fjalën armëpushim në ndonjë veprim të OKB-së sa i përket luftës Izrael-Hamas. Drafti i tekstit të SHBA-së “përcakton se në rrethanat aktuale, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte me dëme të tjera për civilët dhe me zhvendosjen e tyre të vazhdueshme, duke përfshirë potencialisht edhe në vendet fqinje”.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se qyteti Rafah, ku janë strehuar banorët e Rripit të Gazës që kanë ikur nga sulmet izraelite, është bërë një nga rajonet me dendësinë më të lartë të popullsisë në botë.

Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori ka kryer më shumë se 31 mijë sulme ajrore në Rripin e Gazas. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, mbi 28.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, dhe mbi 60 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Gazetar: A.Mata           

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme