Ukraina në alarm pas sulmeve në Kiev dhe lajmeve për raketën ruse antisatelitore

Europë | 3 vite më parë

Kryebashkiaku i Kievit u bëri thirrje qytetarëve ukrainas të izolohen brenda shtëpive për shkak të një sulmi ajror nga forcat ruse, që të enjten në mëngjes pati si objektiv disa zona të vendit.

Vitali Kliçko (o. Klitschko) foli për “shpërthime të “shumëfishta në qytet”, ndërkohë që sistemi i mbrojtjes ajrore raportoi se disa raketa të nisura nga bazat ruse u shkatërruan pa prekur shënjestrën.

Një ditë më parë ushtria ukrainase njoftoi se shkatërroi një anije të madhe luftarake në Detin e Zi afër Krimesë së pushtuar nga Rusia. Shërbimet e inteligjencës ukrainase shpërndanë një video ku shfaqeshin dronë të ndryshëm dhe në fund një shpërthim i fuqishëm mbi anijen “Caesar Kunikov”.

“Fakti që flota ruse nuk mund të veprojë në Detin e Zi sipas dëshirës, krahasuar me situatën si vepronte në fillimin e kësaj lufte, tregon një ndryshim thelbësor në pozicionet strategjike të palëve që kontrollojnë rajonin e Detit të Zi,” u shpreh një zyrtar i lartë për mediet amerikane.

Por Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se konflikti mes dy fqinjëve – Rusi–Ukrainë – mbetet tejet kërcënues për sigurinë ndërkombëtare deri edhe SHBA-së.

Sipas së përditshmes “New York Times”, bazuar në informacionet e ish-funksionarëve që i janë paraqitur Kongresit amerikan dhe aleatëve europianë, Rusia vazhdon të zhvillojë armë bërthamore. Shpikja më e fundit është një raketë me kapacitetin për të goditur edhe satelitët në hapësirë. Më herët, edhe media “Politico” raportoi për raketën hipersonike “3 M22 Zirkon”, e cila mund të udhëtojë deri nga 400 deri 1 mijë kilometra me shpejtësinë 9.800 km/orë (Mak 8), e aftë për të shmangur sistemet e mbrojtjes dhe për të goditur objektiva nën det e në tokë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi të enjten se lajmi i medieve amerikane për aftësitë bërthamore të Rusisë në hapësirë janë një “shpikje” e Shtëpisë së Bardhë. Zv.ministri i Jashtëm, Sergei Rjabkov, po ashtu i quajti “mashtrime dashakeqëse” raportimet për dërgimin e armëve bërthamore në hapësirë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme