Këshilltari i Trampit propozon sistem të ri për vendet anëtare të NATO-s

Botë | 3 vite më parë

Këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare i ish-presidentit Donald Tramp ka deklaruar se ai do të nxiste ndryshime në NATO nëse ish-presidenti rikthehet në pushtet gjë që mund të rezultojë në humbjen e mbrojtjes nga disa vende anëtare kundër një sulmi të jashtëm.

Keith Kelog (Kellogg), një gjeneral-lejtnant në pension dhe dikur shef i shtabit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare të ish-presidentit, tha në një intervistë për “Reuters” se nëse një anëtar i aleancës prej 31 vendeve nuk do të shpenzonte të paktën 2% të prodhimit të tij të brendshëm bruto për mbrojtjen,  ai do të mbështeste heqjen e mbrojtjeve të nenit 5 të atij vendi sipas Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Neni 5 thotë se një sulm kundër një anëtari të aleancës me bazë në Evropë do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve dhe anëtarët e aleancës duhet të përgjigjen në bllok.

Pa këto mbrojtje, një vend anëtar nuk do të garantohej se anëtarët e tjerë të NATO-s do t’i vinin në ndihmë.

“Nga vij unë, aleancat kanë rëndësi” tha Kellogg, i cili ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare të ish-zëvendëspresidentit Mike Pence.

“Por nëse do të jesh pjesë e një aleance, kontribuo në aleancë, bëhu pjesë e aleancës”

Tramp u kritikua nga presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të lartë perëndimorë kur sugjeroi në një tubim të fundjavës se ai nuk do të mbronte aleatët e NATO-s të cilët nuk do të shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtjen dhe madje do të inkurajonte Rusinë t’i sulmonte ata.

Kelog nuk pranoi të thoshte nëse ai kishte diskutuar propozimin e tij me Tramp, megjithëse ai tha se ata kanë diskutuar shpesh për të ardhmen e NATO-s. Tramp është afër sigurimit të nominimit presidencial të Partisë Republikane për zgjedhjet e përgjithshme të 5 nëntorit.

Kelog tha se nëse Tramp fiton, ai ka të ngjarë të sugjerojë një takim të NATO-s në qershor 2025 për të diskutuar të ardhmen e aleancës.

Ai tha se NATO mund të bëhet më pas një “aleancë me nivele”, në të cilën disa anëtarë gëzojnë mbrojtje më të madhe bazuar në përputhjen e tyre me nenet themeluese të NATO-s.

Stafi i Trampit nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por më parë e ka identifikuar Kellogg si një këshilltar politikash që mund të merrte një rol në administratën e tij.

Tramp dhe aleatët e tij kanë sinjalizuar gjithnjë e më shumë se synojnë të rimendojnë angazhimin prej dekadash të Amerikës ndaj NATO-s dhe ata janë ankuar prej kohësh se anëtarët evropianë të aleancës nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme