CIA, Mossad dhe Katari takim i katërfishtë me Egjiptin, diskutohet për armëpushim në Gaza

Botë | 3 vite më parë

Zyrtarë të lartë nga Izraeli, SHBA, Katari dhe Egjipti u takuan sot për të diskutuar mbi një armëpushim të mundshëm në Gaza ndërsa presioni ndërkombëtar vijon të rritet.

Drejtori i CIA-s, William Burns, shefi i Mossad-it, David Barnea dhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani takuan zyrtarë egjiptianë në Kajro për të arritur një armëpushim në Gazën e shkatërruar nga lufta në mes të operacionit të Forcave të Mbrojtjes izraelite kundër Hamasit.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Hamasit u thanë gazetarëve se janë duke pritur rezultatin e takimeve të Kajros dhe Hamasi është i hapur për të diskutuar çdo iniciativë që arrin t’i japë fund agresionit dhe luftës.

Kërkimi për një armëpushim vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara paralajmëruan Izraelin ndaj ofensivës tokësore në Rafah që ushtria izraelite kërkon të ndërmarrë në jug të Gazës ku më shumë se një milion palestinezë janë të bllokuar.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se më shumë se 28,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur forcat izraelite filluan fushatat e pandërprera të bombardimeve të territorit në përgjigje të sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, në të cilat u vranë rreth 1,200 izraelitë.

Katari dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese me mbështetjen e SHBA-së, me përfaqësuesit e të tre vendeve që vijnë së bashku me zyrtarët e inteligjencës izraelite për të diskutuar hapat e nevojshëm për të punuar drejt një armëpushimi tjetër.

Drejtori i CIA-s, Burns është nën presion për të arritur një marrëveshje pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se civilët në Rafah ‘duhet të mbrohen’ pas një takimi me Mbretin e Jordanisë Abdullah II të hënën.

“Shumë njerëz janë zhvendosur atje disa herë, duke ikur nga dhuna në veri, dhe tani ata janë grumbulluar në Rafah – duke u ekspozuar ndaj luftës”, tha ai.

Mbreti Abdullah kërkoi një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund luftës katërmujore.

“Ne nuk mund të përballojmë një sulm izraelit në Rafah. Është e sigurt që do të prodhojë një tjetër katastrofë humanitare. Ne kemi nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm tani”, u shpreh Abdullah.

Qëndrimi i Bidenit ndaj Izraelit vjen pasi një paketë e madhe ndihme që parashikon 14 miliardë dollarë për të mbështetur luftën e Izraelit në Gaza u miratua nga Senati i SHBA.

Dy të tretat e paketës prej 90 miliardë dollarësh janë të destinuara për Ukrainën për të mbështetur forcat e armatosura të Presidentit Zelensky në mes të luftës së tyre të vazhdueshme me Rusinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme