Scholz: Intervista e Carlson me Putinin tregoi “histori absurde”

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka kritikuar ashpër intervistën e presidentit rus, Vladimir Putin me drejtuesin e emisionit të krahut të djathtë në SHBA.
“Një intervistë, që sinqerisht vetëm tallet me veprimet reale që ka bërë Rusia në Ukrainë dhe tregon një histori krejtësisht absurde për shkakun e kësaj lufte”, tha sot Scholz gjatë një vizite në Uashington.
“Por ekziston një shkak shumë i qartë, që është dëshira e liderit të Kremlinit për të aneksuar një pjesë të Ukrainës”, theksoi ai.
“Dhe të gjitha historitë që tregohen për të nuk e ndryshojnë faktin se pikërisht ky është qëllimi i përpjekjeve të tij imperialiste”, tha kancelari gjerman.
Putin u intervistua nga një gazetar amerikan për herë të parë që kur filloi luftën e plotë kundër Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.
Intervista 127-minutëshe me drejtuesin e emisionit të krahut të djathtë, Tucker Carlson u regjistrua të martën dhe u transmetua dje në mbrëmje.
Carlson, një personalitet televiziv i njohur për përhapjen e raporteve të rreme dhe teorive konspirative në ish-punëdhënësin e tij “Fox News”, nuk i vuri në dyshim komentet e gjata të Putinit.
Tucker Carlson foli drejtpërdrejt me presidentin rus për gazetarin amerikan Evan Gershkovich, i cili ishte në paraburgim në Rusi, dhe pyeti nëse kishte mundësi për lirimin e tij.
Putin tha se ishte i gatshëm të bisedonte dhe la të nënkuptohej për mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve.
“Nuk ka kuptim ta mbajmë atë në burg në Rusi. Përkundrazi, SHBA-ja duhet të mendojë se si mund të kontribuojë në një zgjidhje”, tha Putin.
/ rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




