Putin intervistohet nga gazetari amerikan, presidenti rus flet për “anëtarësimin” e Rusisë në NATO e deri te lufta në Ukrainë

Tucker Carlson dhe Vladimir Putin tërhoqën vëmendjen e mediave botërore, teksa gazetari i konservator intervistoi presidentin rus. Intervista dy-orëshe e filmuar në Moskë, ishte e para e Putinit me një media perëndimore që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022. Presidenti rus foli që nga biseda me ish presidentin amerikan Bill Clinton për anëtarësimin e Rusisë në NATO e deri te lufta në Ukrainë. Putin tha se gjatë një takimi me Clinton dy dekada më parë, ish presidenti amerikan Bill Clinton e kishte gënjyer atë për anëtarësimin e federatës ruse në aleancë.
“Unë e pyeta: “Bill, a mendon se nëse Rusia do të kërkonte të anëtarësohej në NATO, a mendon se do të ndodhte? Papritmas ai tha: “E dini, është interesante. Unë mendoj kështu”. Por në mbrëmje, kur u takuam për darkë, ai tha: “E dini, kam folur me ekipin tim, jo, nuk është e mundur tani,” tha Putin.
Putin foli gjerësisht edhe për pikëpamjen e tij për historinë ruse e marrëdhëniet e kombit me Ukrainën nga shekulli i nëntë deri në ditët e sotme. Ai tha se do të ishte i përgatitur të negocionte një paqe me Volodymyr Zelensky, por shtoi se Rusia ende nuk i kishte arritur qëllimet e saj në atë vend duke përfshirë “denzifikimin”.
“Ne kurrë nuk kemi refuzuar negociatat me të vërtetë. Ne dëgjojmë gjatë gjithë kohës, a është gati Rusia? Po. Ne nuk kemi refuzuar. Ishin ata që refuzuan publikisht. Epo, le të anulojë dekretin e tij [për të mos negociuar me Rusinë] dhe të hyjë në negociata. Ne kurrë nuk kemi refuzuar,” shtoi Putin.
Putin gjithashtu tha se ai nuk kishte asnjë interes për të sulmuar Poloninë apo Letoninë, duke thënë se do ta bënte këtë vetëm nëse secili prej vendeve do të sulmonte Rusinë.
“Është kundër sensit të përbashkët të përfshihesh në një lloj lufte globale dhe një luftë globale do ta çojë gjithë njerëzimin në prag të shkatërrimit. Është e qartë,” tha ai.
Intervista e Carlson me presidentin rus u prit me shumë kritika nga një sërë gazetarësh. Disa prej kritikëve thonë se Kremlini mund ta shfrytëzojë intervistën për qëllime propagandistike për zgjedhjet presidenciale, si dhe për shpërfilljen gjatë intervistës të gjendjes së rëndë të lirisë së shtypit në Rusi.
Gazetar A. Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




