Trazirat në Ekuador, forcat e armatosura jetojnë në frikë: Nëse ka rrjedhje të informacionit, jemi të vdekur

Botë | 3 vite më parë

Banorët në Ekuador vijojnë të jetojnë në gjendje frike dhe pasigurie që kur bandat kriminale në vend vendosën të sulmonin institucionet dhe të vrisnin njerëz në rrugë duke shkaktuar kaos dhe viktima.  Bandat sulmuan spitalet, universitetet dhe qendrat tregtare, ndërsa breshërisë së armëve nuk i shpëtuan dot as qytetarët që ndodheshin aty.

Situata në vend është e pasigurt, ku edhe forcat e armatosura që kanë dalë për të neutralizuar anëtarët e më shumë se 20 bandave kanë frikë për jetën e tyre. Shumica e tyre hiqen si civilë dhe mbajnë një profil të ulët për të kapur pjesëtarët e bandave kriminalë, ndërsa vetë ushtarët thonë se “nëse ka rrjedhje të informacionit nga brenda janë të vdekur”.

“Këto kanë qenë ditë dhe netët të gjata. Por ne e bëjmë këtë për bashkëqytetarët tanë dhe familjet tona”, tha një oficer.

Zyrtarët e lartë ushtarakë thonë se nuk kanë pajisjet taktike, municionet dhe inteligjencën e nevojshme për të mbajtur këtë luftë afatgjatë.

Situata në vend agravoi kur një nga krerët e bandës më famëkeq të vendit  José Adolfo Macías, i njohur su “Fito” , ishte arratisur nga qelia e tij e burgut në Guayaquil, duke bërë që qeveria të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo deklaratë provokoi grupet kriminale që të sulmonin dhe shkaktonin terror në  Guayaquil.

Ekuadori, i njohur dikur si “Ishulli i Paqes” i rajonit, është i vendosur midis dy prej prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë, Perusë dhe Kolumbisë, dhe portet e tij të thella e kanë bërë atë një pikë kyçe tranziti për kokainën që shkon drejt konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara  dhe Evropës.

Policia dhe ushtria kanë ngritur postblloqe në rrugët e Guayaquil, ku asnjë mjet nuk i shpëton kontrollit.

Qeveria e Ekuadorit vlerëson se të paktën 30,000 njerëz në vend janë të lidhur me bandat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme