Koreja e Jugut, çanta Dior e zonjës së parë trondit udhëheqjen e vendit

Një dhuratë luksoze e pranuar nga zonja e parë e Koresë së Jugut, Kim Keon Hee ka çuar në polemika dhe tensione në Partinë e bashkëshortit të saj në pushtet, Partinë e Pushtetit Popullor (PPP).
Pamjet e kamerave të publikuara në fund të vitit të kaluar tregonin një pastor duke i dhuruar asaj një çantë Christian Dior.
Disa analistë thonë se skandali kërcënon perspektivat e partisë së presidentit Yoon Suk Yeol në zgjedhjet e prillit.
Votuesit duan një shpjegim nga Yoon, ndërsa opozita e ka përdorur këtë çështje për ta sulmuar atë. Videoja, e publikuar nga kanali në YouTube, Voice of Seoul, raportohet se është filmuar fshehurazi nga pastori Choi Jae-young duke përdorur një kamerë të vendosur në orën e tij.
Sipas mediave lokale, çanta dyshohet se iu dha zonjës së parë në shtator 2022. Ndërsa video nuk tregon qartë se Kim pranon dhuratën, zyra presidenciale konfirmoi marrjen e çantës dhe tha se ajo “menaxhohej dhe ruhej si pronë e qeverisë”.
Një sondazh i fundit tregoi se 69% e votuesve të vendit me të drejtë vote duan një shpjegim nga presidenti për veprimet e gruas së tij. Një sondazh i mëparshëm në dhjetor tregoi se 53% e të anketuarve besonin se sjellja e saj ishte e papërshtatshme. Skandali po shpërthen vetëm tre muaj para zgjedhjeve legjislative të Koresë së Jugut.
Në Korenë e Jugut është e paligjshme që zyrtarët publikë dhe bashkëshortët e tyre të marrin dhurata me vlerë më shumë se 1 milion njëherazi, ose gjithsej 3 milion brenda një viti fiskal./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




