NATO nënshkruan një kontratë 1. 2 mld dollarëshe për municione artilerie për vendet anëtare dhe Ukrainën

NATO nënshkroi të martën një kontratë 1.2 miliardë dollarë për të kryer dhjetëra mijëra blerje armatimesh për të rimbushur rezervat në pakësim të vendeve anëtare të saj, ndërsa ato furnizojnë me municion Ukrainën, duke ndihmuar atë të përballet me pushtimin rus.
Sipas agjencisë së mbështetjes dhe prokurimit të NATO-s, kontrata do të lejojë blerjen e 220,000 fishekëve të municioneve 155 milimetër, predha artilerie të cilat janë nga më të kërkuarat.
Kjo do t’i lejojë aleatët të mbushin arsenalet e tyre dhe t’i ofrojnë Ukrainës më shumë municion.
“Kjo është e rëndësishme për të mbrojtur territorin tonë, për të ndërtuar rezervat tona, por edhe për të vazhduar të mbështesim Ukrainën”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ne nuk mund të lejojmë që presidenti (Vladimir) Putin të fitojë në Ukrainë”, shtoi ai. “Kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit dhe e rrezikshme për të gjithë ne.”
Ukraina përdor nga 4,000 deri në 7,000 predha artilerie çdo ditë që nga vera e kaluar, ndërsa Rusia lëshon më shumë se 20,000 predha çdo ditë në territorin e fqinjit të saj, sipas vlerësimeve të Bashkimit Evropian.
Industria ruse e armëve është shumë më e madhe se ajo e Ukrainës dhe Kievi ka nevojë për ndihmë për tu krahasuar me fuqinë e zjarrit të Moskës.
Por predhat nuk do të mbërrijnë shpejt. Dërgimi me porosi zgjat nga 24 deri në 36 muaj, tha agjencia e NATO-s.
Planet e Bashkimit Evropian për të prodhuar 1 milion fishekë artilerie për Ukrainën kanë dështuar, me vetëm rreth një të tretën e objektivit të arritur.
Zyrtarë të lartë të BE-së kanë thënë se tani presin që industria evropiane e mbrojtjes të prodhojë rreth një milion predha në vit deri në fund të këtij viti. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




