Masakra në shkollën fillore në SHBA, Departamenti i Drejtësisë kritikon policinë e Teksasit për ngjarjen e vitit 2022

“Përgjigja e policisë ndaj sulmit me armë në shkollën fillore Rob në Juvalde në maj të vitit 2022 ishte një dështim”. Në këtë përfundim arriti Departamenti amerikan i Drejtësisë për ngjarjen e cilësuar si më vdekjeprurësen në një shkollë fillore.
Raporti i shumëpritur i publikuar të enjten tha se policia e qytetit të vogël të Teksasit nuk arriti të vlerësonte me saktësi situatën, ku humbën jetën 19 nxënës dhe 2 mësues. Raporti prej më shumë se 400 faqesh i Departamentit të Drejtësisë, rendit një sërë gabimesh të bëra nga policia.
Sipas dokumentit, autori 18-vjeçar, Salvador Ramos, qëlloi rreth 142 plumba brenda ndërtesës përpara se të ndalohej. Qindra oficerë iu përgjigjën të shtënave në shkollën fillore Rob, por iu deshën më shumë se një orë për t’u përballur dhe vrarë personin e armatosur.
Pamjet e kamerave të trupit treguan efektivët e policisë duke pritur në korridoret jashtë klasave ku personi i armatosur kishte hapur zjarr. Edhe familjet viktimave akuzuan policinë se veproi shumë ngadalë. Pas masakrës me 21 viktima, të paktën 5 oficerë janë shkarkuar nga detyra.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




