Mbreti Karl III do të operohet – Të martën iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale edhe Princesha e Uellsit

Botë | 3 vite më parë

“Mbreti Çarls III do të shtrohet në spital javën e ardhshme për trajtimin e prostatës së zmadhuar. Ashtu siç ndodh me mijë burra çdo vit, Mbreti ka kërkuar trajtim”, – thuhet në deklaratën e lëshuar nga Pallati Mbretëror, duke shtuar se gjendja e monarkut 75-vjeçar nuk është serioze, por angazhimet e tij publike do të shtyhen për disa ditë  derisa të rikuperohet pas procedurës korrigjuese.

Besohet se Mbreti Çarls ka ndarë detaje nga diagnoza e tij për të inkurajuar burra të tjerë me simptoma të njëjta, që të kontrollohen në përputhje me këshillat e shëndetit publik. Mbreti kishte një sërë takimesh dhe aktivitetesh të planifikuara për ditët në vijim, të cilat tani po shtyhen me udhëzimin e mjekut të tij.

Njoftimi i Pallatit Mbretëror erdhi më pak se dy orë pasi u njoftua se nusja e tij, Princesha e Uellsit i ishte nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale abdominale dhe do të qëndrojë në spital rreth dy javë.

“Princesha e Uellsit Kejt Middëllton u shtrua në Klinikën e Londrës të martën për një ndërhyrje kirurgjikale të planifikuar. Ajo pritet të qëndrojë në spital rreth dy javë përpara se të kthehet në shtëpi për të vazhduar rikuperimin” – thuhet në njoftimin e Pallatit Mbretëror, ku ndër të tjera theksohej se sipas këshillave të mjekëve, Princesha nuk pritet t’i kthehej detyrave publike deri pas festës së Pashkëve.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme