Në kundërshtim me BE, Norvegjia miraton praktikën e diskutueshme për minierat  në det të thellë

Botë | 3 vite më parë

Norvegjia është bërë vendi i parë në botë që ka ecur përpara me praktikën e diskutueshme të minierave në det të thellë.

Projektligji, i miratuar të martën, do të përshpejtojë kërkimin e metaleve të çmuara. Shkencëtarët e mjedisit kanë paralajmëruar se kjo mund të jetë shkatërruese për jetën detare.

Plani ka të bëjë me ujërat norvegjeze, por marrëveshje për minierat në ujërat ndërkombëtare mund të arrihet gjithashtu këtë vit.

Qeveria norvegjeze tha se ishte e kujdesshme dhe se do të fillonte lëshimin e licencave vetëm pasi të kryheshin studime të mëtejshme mjedisore. Deti i thellë ka shkëmbinj të cilët përmbajnë minerale të tilla si litium, skadium dhe kobalt, kritike për disa teknologji, duke përfshirë bateritë.

Propozimi i Norvegjisë do të hapë 280.000 km në ujërat të saj kombëtare për kompanitë që të aplikojnë për minierën e këtyre burimeve, një zonë më e madhe se madhësia e MB.

Megjithëse këto minerale janë të disponueshme në tokë, ato janë të përqendruara në disa vende, duke rritur rrezikun për furnizim. Për shembull, Republika Demokratike e Kongos, e cila mban disa nga rezervat më të mëdha të kobaltit, përballet me konflikte në disa pjesë të vendit.

Walter Sognnes, bashkëthemelues i kompanisë norvegjeze të minierave Loke Minerals, e cila planifikon të aplikojë për një licencë, pranoi se duhet bërë më shumë për të kuptuar thellësinë e oqeanit përpara se të fillojnë minierat.

“Ne do të kemi një periudhë relativisht të gjatë aktiviteti eksplorimi dhe hartimi për të mbyllur boshllëkun e njohurive mbi ndikimin mjedisor”, tha ai.

Martin Webeler, aktivist i oqeaneve dhe studiues në Fondacionin Environmental Justice, tha se është “katastrofike” për habitatin e oqeanit.

Ai tha se kompanitë minerare duhet të fokusohen në parandalimin e dëmtimit mjedisor në operacionet aktuale, në vend që të hapin një industri krejtësisht të re.

Projekti e vë vendin në kundërshtim me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë kërkuar një ndalim të përkohshëm të praktikës për shkak të shqetësimeve për dëmtimin mjedisor.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), teknikat për të mbledhur mineralet nga fundi i detit mund të gjenerojnë ndotje të konsiderueshme, si dhe dëmtim të habitatit të organizmave që mbështeten në nyjet./ BBC

/rtsh.a/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme