Gaza, ushtria izraelite vret gabimisht tre pengje gjatë operacionit ndaj Hamasit

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me tre pengjet izraelitë të vrarë gabimisht në Gaza nga forcat izraelite.
Një zyrtar i ushtrisë duke cituar gjetjet e një hetimi paraprak tha se pengjet kishin ngritur një flamur të bardhë të improvizuar. “Ngjarja e së premtes ndodhi në një zonë luftimesh të ashpra ku militantët e Hamasit veprojnë me veshje civile” tha zyrtari izraelit. Ai shtoi se një ushtar pa tre pengjet në zonën Shixheja, ndërsa forcat ushtarake hapën zjarrr pasi u ndjenë të kërcënuar. “Ata u qëlluan kundër rregullave të vendosura nga Izraeli”, theksoi ai duke shtuar se tre pengjet mund të ishin arratisur ose ishin lënë të lirë nga Hamasi. Më tej konfirmoi se forcave të armatosura izraelite po u dërgohen sërish të gjitha rregullat e luftës.
Ushtria publikoi pamje mbi operacionet në disa shkolla të qytetit të Gazës, ku pretendohet se fshihen anëtarë të Hamasit. Gjatë sulmeve me raketa në Gaza u vra edhe një kameraman i rrjetit “Al Xhazira”, ndërsa një gazetar u plagos.
Edhe grupi miltant ka publikuar pamje ku pretendon se po lufton forcat izraelite në Han Junis dhe Shixheja.
Ndërkohë në Tel Aviv qindra persona u mblodhën jashtë Muzeut të Artit në atë që njihet si Sheshi i pengjeve, i cili është kthyer në një simbol të pritjes së familjarëve të të rrëmbyerve nga Hamasi më 7 tetor. Protestesit i kërkojnë qeverisë izraelite të negociojë marrëveshje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve që janë ende në duart e grupit militant.
Operacioni ushtarak i Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë rreth 19 mijë persona, duke përfshirë mbi 8 mijë fëmijë sipas ministrisë së shëndetësisë së kësaj enklave.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




