Irani: Izraeli ka kaluar vijën e kuqe në Gaza, po na detyron të veprojmë

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ka deklaruar se Izraeli ka kaluar vijën e kuqe në Gaza, gjë që mund të bëjë sipas tij, që të gjithë të ndërmarrin veprime.
“Krimet e regjimit sionist kanë kaluar vijat e kuqe, të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime. Uashingtoni kërkon nga ne që të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të gjerë Izraelit” tha Raisi në një postim në rrjetet sociale.
Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara i dërguan “mesazhe Boshtit të Rezistencës, por morën një përgjigje të qartë në fushën e betejës”
Fushata e ashpër ushtarake e Izraelit në Gaza ka ngritur shqetësimin se lufta mund të zgjerohet në fronte të tjera teksa Irani është aleat i Hamasit si dhe i Hezbollahut, grupi militant libanez që ka qenë i përfshirë në shkëmbime zjarri me Izraelin në javët e fundit.
Ekspertët thonë se ndërsa Irani është i kujdesshëm për të ruajtur distancën në luftën mes Izraelit dhe Hamasit –Hamasit, Teherani mund të mos jetë në kontroll të plotë nëse milicitë që ai mbështet në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur në rastet kur Hamasi mund të pësojë goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet.
Në ditët e para pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, u ngritën pikëpyetje rreth përfshirjes së mundshme të Iranit.
Teherani në atë kohë e lavdëroi operacionin, por shpejtoi të mohonte se kishte gisht në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, transmeton CNN.
Inteligjenca amerikane sugjeroi gjithashtu se zyrtarët iranianë ishin të befasuar nga sulmi i Hamasit dhe se Teherani nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin, financimin ose miratimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




