Franca dhe Gjermania thirrje Izraelit: Mos sulmo civilët në Gaza

Ministrat e jashtëm të Francës dhe Gjermanisë i kanë bërë thirrje Izraelit që të mos sulmojë civilët në luftën me Hamasin.
Sipas Francës dhe Gjermanisë, megjithëse Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes ka edhe një përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë civile të Gazës.
Në një fjalim drejtuar liderëve në samitin e paqes në Kajro, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbok theksoi se Hamasi mban përgjegjësinë përfundimtare për vuajtjet e këtyre javëve të fundit.
“Ishte Hamasi ai që solli terror të tmerrshëm mbi Izraelin më 7 tetor duke kryer krime mizore. Si çdo vend tjetër në botë, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe të mbrojë popullin e tij kundër këtij terrori brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar”, tha Baerbock. .
Baerbok paralajmëroi se “lufta kundër Hamasit duhet të kryhet me konsideratën më të madhe të mundshme për situatën humanitare për burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm në Gaza”.
Ministrja e Jashtme e Francës Katerinë Kolona përsëriti gjithashtu se “asgjë nuk e justifikon terrorizmin. Përballë terrorizmit, Izraeli ka të drejtë të mbrohet”
“Izraeli, në përgjigjen e tij legjitime ndaj sulmit terrorist që ishte viktimë, duhet të mbrojë popullsinë civile në përputhje me ligjin humanitar”, vazhdoi Kolona, transmeton CNN.
“Franca dënon veprimet e Hamasit, por vazhdon të mbështesë të drejtat e popullit palestinez siç kemi bërë gjithmonë”, vuri në dukje Kolona, duke shtuar se Franca së shpejti do të dërgojë 10 milionë euro shtesë (10.6 milionë dollarë) ndihmë për palestinezët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




