Zelenski barazon Hamasin me Rusinë: Organizatë dhe shtet terrorist

Botë | 3 vite më parë

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, sheh ngjashmëri midis luftës që po zhvillohet mes grupit palestinez Hamas dhe Izraelit dhe pushtimit të vendit të tij nga Rusia.

“Janë e njëjta e keqe dhe ndryshimi i vetëm është se njëra është organizatë terroriste, e cila sulmoi Izraelin, ndërsa këtu kemi një shtet terrorist, i cili sulmoi Ukrainën,” iu drejtua Zelenski me një video asamblesë parlamentare të NATO-s në Kopenhagë.

Sipas tij, paqen në botë mund ta garantojnë “vetëm rregullat dhe ligji ndërkombëtar”.

“Vetëm të bashkuar mund ta ndalim këtë të keqe. Kushdo që sponsorizon terrorin duhet të ndiejë fuqinë tonë. Dhe ata që kanë nevojë për mbrojtje kundër terrorit duhet të ndiejnë solidaritetin tonë,” u shpreh presidenti i Ukrainës.

Irani mohon rolin në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit

Sulmet me raketa që nisën të shtunën nga Rripi i Gazës lanë të vrarë mbi 700 izraelitë dhe mbi 100 të tjerë janë rrëmbyer nga militantët e Hamasit që mësynë kufirin jugor të Izraelit, duke bërë kasaphanë aty ku ndaluan. Edhe Izraeli ka kundërreaguar, duke shkaktuar mbi 500 viktima mes palestinezëve.

Irani, shtet joaleat me Izraelin, mohoi të hënën “akuzat e pabaza” se luajti rol në sulmin masiv të Hamasit.

“Akuzat për rolin iranian… bëhen për arsye politike. Republika Islamike nuk ndërhyn në vendimmarrjen e shteteve të tjera, edhe të Palestinës,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Teheran.

Izraeli njofton “bllokim të plotë” të Gazës

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant (o. Yoav Gallant) deklaroi se ka urdhëruar “bllokim të plotë” të Rripit të Gazës, teksa lufton me grupin Hamas.

“Nuk ka për të pasur energji, ushqim, karburant. Gjithçka do të mbyllet. Po luftojmë me kafshë njerëzore dhe po veprojmë siç e meritojnë,” tha ministri Galant gjatë një takimi të komandës jugore në qytetin e Bershebës.

Izraeli në fundjavë shpalli gjendjen e luftës kundër Hamasit dhe paralajmëroi banorët e mbetur në Gazë që të largohen nga banesat, pasi mes tyre fshihen qëllimisht militantët dhe qëllimi i Izraelit është të bombardojë çdo “strehë terroriste”.

Egjipti dhe Emiratet Arabe diskutojnë për paqen

Liderët e Egjipit dhe të Emirateve të Bashkuara kanë diskutuar për konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Presidenti egjiptian Abdel Fatah el-Sisi (o. Fattah el-Sissi) dhe presidenti i Emirateve, sheiku Mohamed bin Zayed Al-Nahjan (o. Zayed Al Nahyan) ranë dakord “për rëndësinë e avancimit të përpjekjeve diplomatike që synojnë uljen e dhunës, mbrojtjen e civilëve dhe mosderdhjen e gjakut,” thuhet në deklaratën e presidencës egjiptiane.

Egjipti ndan kufirin si me Izraelin, edhe me Gazën, ndërsa nga viti 2020 ka normalizuar marrëdhëniet me Jerusalemin në bazë të Marrëveshjes amerikane Abraham.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme