Dorëzohen separatistët e Nagorno-Karabakut/ Arrihet armëpushim pas ofensivës që Azerbajxhani ndërmori në krahinë

Presidenti i Azerbajxhanit është shprehur se është rikthyer sovraniteti i vendit të tij në krahinën e Nagorno-Krabakut pas një ofensivë 24-orëshe ndaj forcave etnike armene. Ilham Aliyev vlerësoi heroizmin e ushtrisë azere, pasi forcat e Karabakut ranë dakord të dorëzoheshin.
Në enklavë, e cila njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, jetojnë rreth 120 mijë armenë. Azerbajxhani tashmë synon ta vërë krahinën separatiste nën kontrollin e tij të plotë. Të martën, ushtria azere filloi një operacion anti terror, ku u kërkoi forcave separatiste të karabakut të dorëzoheshin dhe të shpërbënin regjimin e tyre të jashtëligjshëm.
Pas një bllokade që rezultoi efektive, separatistët u dorëzuan. Zyrtarët armenë raportuan se të paktën 32 persona, mes të cilëve 7 civilë u vranë, dhe 200 të tjerë u plagosën.
Mbrëmjen e së mërkurës zyrtarë armenë akuzuan Azerbajxhanin se forcat e tij kishin hapur zjarr ndaj trupave armene në qytezën Sotk në kufirin mes dy vendeve, pas arritjes së armëpushimit, por Baku i mohoi menjëherë këto pretendime.
Po një ditë më parë, mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit jerevan të Armenisë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Nikol Pashinyan për mënyrën se si ka manaxhuar situatën.
Gazetar E. Pepa
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




