Paralajmëron ministri grek: Nëse shkarkohet Beleri, marrëdhëniet greko-shqiptare do përkeqësohen

Greqia ka paralajmëruar Shqipërinë për përkeqësim të marrëdhënieve dypalëshe në rastin e shkarkimit të mundshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili prej 12 majit ndodhet në paraburgim.
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, e konsideron të paligjshëm paraburgimin e Belerit. Ai shtoi se qeveria greke që në momentin e parë të arrestimit të Belerit ka ndërmarrë një sërë nismash jo vetëm për lirimin, por edhe për betimin e tij.
“Me mënyrën se si funksionon, pala shqiptare ka të ngjarë të dëmtojë veten,” vuri në dukje ministri.
Gerapetritis paralajmëroi se shkarkimi i Belerit nga pozicioni i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë do të sillte një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Sipas ministrit grek: “Nuk ka mundësi që të vazhdojë anëtarësimi i Shqipërisë në BE kur ka një shkelje të tillë të shtetit të së drejtës dhe të prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit për të arritur në përfundimin se tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj.”
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur ditë më parë pasi policia e Vlorës, e mbështetur me pamje filmike dhe përgjime nga një agjent i infiltruar, regjistroi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit ofruan para në këmbi të votave.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri kandidonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ai e fitoi Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




