Urdhërarresti rus për Khan, reagon Gjykata Ndërkombëtare Penale: Shqetësues, por nuk do të na ndalë në punën tonë

Botë | 3 vite më parë

Pasi Rusia vendosi kryeprokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Kharim Khan, në listën e saj të të kërkuarve, kjo gjykatë u shpreh se një lëvizje e tillë nuk do ta ndalonte  në punën e saj.

Lëvizja ruse erdhi dy muaj pasi kryeprokurori Karim Khan lëshoi një urdhër arrest për presidentin rus Vladimir Putin, për të cilin pretendoi se ishte përgjegjës për krime lufte, veçanërisht për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga vendi i tyre në Rusi.

Rusia, që nuk është anëtare e gjykatës, e ka përshkruar urdhër arrestin ndaj Putin si të pavlefshëm. Gjykata Ndërkombëtare penale gjithashtu ka lëshua urdhër arrest ndaj Komisioneres ruse të Drejtave të Fëmijëve Maria Lvova-Belova.

Më shumë se 16 mijë fëmijë mendohet se janë transferuar me forcë nga Ukraina për në Rusi ose në territoret e kontrolluara nga Moska që nga fillimi i luftës.

Sipas Gjykatës Ndërkombëtare, ka baza të arsyeshme të besohet se Putin dhe zonja Lvova Belova mbajtën përgjegjësi individuale penale në këtë drejtim.

Ndërkohë, në kundërpërgjigje, komiteti hetues i Kremlinit njoftoi këtë javë se do të fillonte një hetim ndaj kryeprokurorit Khan për procedimin penal të një personi që dihet se është i pafajshëm, siç u shpreh komiteti duke iu referuar presidentit Putin.

Gjykata Ndërkombëtare reagoi duke thënë se ishte thellësisht e shqetësuar për masat e pajustifikueshme të ndërmarra ndaj zyrtarëve të saj, por ndërkohë masat në fjalë nuk do ta ndalonin në vijimin e përmbushjes së detyrës së saj.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme