“Paralizohet” Gjermania, transporti ajror, rrugor dhe hekurudhor në grevë

Botë | 4 vite më parë

Aeroportet, portet, hekurudhat, autobusët dhe linjat e metrosë në Gjermani, do të fiken këtë të hënë, duke “paralizuar” vendin, raporton The Guardian.

Dy prej sindikatave më të mëdha në Gjermani, Verdi dhe EVG, do të zhvillojnë një grevë për të nxitur rritjen e pagave përballë inflacionit të shpejtë.

Për të parandaluar boshllëqet e furnizimit, ministri i transportit Volker Wissing ka urdhëruar shtetet të heqin kufizimet për dërgesat e kamionëve, ndërsa u kërkon aeroporteve të lejojnë ngritjet dhe uljet e natës vonë “në mënyrë që pasagjerët e bllokuar të arrijnë në destinacionet e tyre”.

Verdi përfaqëson rreth 2.5 milionë punonjës të sektorit publik, ndërsa EVG përfaqëson 230,000 punëtorë në hekurudha dhe në kompanitë e autobusëve.

Thirrja e rrallë e përbashkët për një grevë në Gjermani shënon një përshkallëzim të një mosmarrëveshjeje gjithnjë e më të keqe për pagat që vjen në një kohë të inflacionit në rritje. Verdi kërkon një rritje prej 10.5% të pagave mujore, ndërsa EVG kërkon një rritje prej 12% për ata që përfaqëson.

Punëdhënësit, kryesisht shteti dhe kompanitë e sektorit publik, deri më tani i kanë refuzuar kërkesat, në vend të kësaj kanë ofruar një rritje prej 5 % me dy pagesa të njëhershme prej 1,000 (1,100 dollarë) dhe 1,500 euro, këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Pasi të kalojë dita e sotme, kompania shtetërore hekurudhore Deutsche Bahn (DB) do të pezullojë plotësisht të gjithë trenat në distanca të gjata, dhe shumë lidhje rajonale dhe lokale do të jenë në bllokim.

Shumë aeroporte të tjera si Hamburgu, Laipzigu, Halle, Drezden, Dyseldorf, Kölni, Dortmundi janë në grevë të hënën. Vetëm aeroporti i Berlinit do të jetë në funksion, por edhe aty do të ndjehen pasojat e grevës.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme