Stuhitë e rërës mbulojnë Pekinin dhe Kinën veriore, ndotja e ajrit shkon në nivele të rrezikshme

Botë | 4 vite më parë

Një stuhi e fortë rëre ka përfshirë Pekinin dhe disa provinca veriore në Kinë, duke e mbuluar rajonin me re të dendura pluhuri portokalli dhe duke e çuar ndotjen e ajrit në nivele të rrezikshme.

Retë e dendura mbështollën kryeqytetin kinez, ku grimcat e ndotjes mund të hyjnë përmes hundës dhe të udhëtojnë në mushkëri, paralajmëruan autoritetet e Monitorimit të Mjedisit Ekologjik të Pekinit.

Autoritetet meteorologjike në Pekin paralajmëruan njerëzit që të mos dalin jashtë për stërvitje dhe aktivitete të tjera dhe u kanë kërkuar drejtuesve të mjeteve të qëndrojnë vigjilentë dhe të ulin shpejtësinë për shkak të dukshmërisë së ulët.

Qendra e monitorimit të Pekinit e quajti këtë si “stuhinë më të rëndë të rërës e ndodhur deri më tani për këtë vit”.

Pekini goditet rregullisht nga stuhitë e rërës në pranverë me smogun që përkeqësohet nga rritja e aktiviteteve industriale dhe shpyllëzimi i shpejtë në të gjithë Kinën veriore, raporton CNN.

Gati një duzinë provincash në Kinë lëshuan sinjale paralajmëruese të verdhë nga e mërkura deri të enjten herët në mëngjes. Kina përdor një sistem paralajmërues moti me katër nivele, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja.

Stuhia aktuale e rërës filloi nga Mongolia të martën dhe gradualisht u zhvendos drejt Kinës qendrore dhe lindore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme