Balona kineze që fluturoi mbi SHBA, Biden: Nuk ishte shkelje e madhe e sigurisë

Botë | 4 vite më parë

Presidenti i SHBA Joe Biden ka deklaruar se nuk beson se balona e dyshuar e spiunazhit kinez që fluturoi mbi hapësirën ajrore amerikane, ishte një shkelje e madhe e sigurisë.

Balona u rrëzua mbi Atlantik pasi kishte udhëtuar nëpër SHBA, ndërsa Biden u shpreh se ishte më së shumti një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Disa ligjvënës e kanë kritikuar presidentin se nuk e shkatërroi atë më shpejt.

“Kjo nuk është një shkelje e madhe e sigurisë, ishte më shumënjë shkelje e ligjit ndërkombëtar. Është hapësira jonë ajrore. Dhe sapo të vijë në hapësirën tonë, ne mund të bëjmë çfarë të duam me të“, tha Biden

Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë jodetyruese që e quajti balonën një “shkelje të pacipë” të sovranitetit të SHBA-së, një veprim i hedhur poshtë nga Kina si “manipulim thjesht politik dhe hamendësim”.

“Kina është shumë e pakënaqur me këtë dhe e kundërshton me vendosmëri atë”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning.

Balona hyri për herë të parë në hapësirën ajrore të SHBA-së më 28 janar mbi Alaskë dhe u rrëzua fundjavën e kaluar në brigjet e Karolinës së Jugut, ku pjesët e tij janë ende duke u nxjerrë nga marina amerikane.

Kina ka mohuar se balona është përdorur për qëllime spiunazhi, duke thënë se ishte një pajisje për monitorimin e kushteve të motit e cila kishte dalë nga kontrolli.

Shtetet e Bashkuara, megjithatë, thanë se balona është pjesë e një flote balonash vëzhgimi që kanë fluturuar mbi pesë kontinente. Incidenti me balonën ka tensionuar marrëdhëniet SHBA-Kinë, me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken javën e kaluar që anuloi një udhëtim të planifikuar për në Pekin. Do të ishte takimi i parë i nivelit të lartë i zyrtarëve amerikanë dhe kinezë atje prej shumë vitesh./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme