Rritet në 268 numri i të vdekurve nga tërmeti në Java, Indonezi

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi ishullin Java në Indonezi të hënën, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA, njofton ABC News.
Të paktën 268 persona kanë vdekur deri në orën 17:30 sipas kohës lokale, njoftoi kreu i Agjencisë Kombëtare të Zbutjes së Fatkeqësive të Indonezisë, i cili po fliste në një konferencë për shtyp të martën.
Deri më tani, gjithsej 1,083 persona janë lënduar, ndërsa 151 persona ende janë të zhdukur ose të pagjetur, tha zyrtari në konferencën për shtyp të së martës. Më shumë se 58,000 njerëz janë zhvendosur dhe numri mund të rritet ende.
Agjencia Meteorologjike, Klimatologjike dhe Gjeofizike e Indonezisë tha në Twitter se kishte matur gjithashtu tërmetin me magnitudë 5.6 ballë. Të dhënat paraprake nga USGS kishin vendosur më parë tërmetin me magnitudë 5.4 ballë.
Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, shkoi në vendin e tërmetit dhe shprehu ngushëllimet e tij.
“Në emër timin, në emër të qeverisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për tërmetin në Regjencën Cianjur, Provinca e Java-së Perëndimore”, tha Widodo në fjalën e tij.
Kreu i Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), gjenerallejtënant Suharyanto tha se shumica e viktimave janë fëmijë. “Tërmeti ra kur shumë fëmijë po recitonin Kuran,” tha ai.
( Sipas ABC News )
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




