4 vende anëtare të BE-së, deklarojnë se nuk mund të pranojnë më emigrantë të paligjshëm

Botë | 4 vite më parë

Katër vende të Bashkimit Evropian, nëpërmjet një deklaratë të përbashkët, bën të ditur se nuk janë dakord me marrëveshjen që Evropa të ndihmojë e bashkuar azilkërkuesit.

Në këtë deklaratë, Italia, Greqia, Malta dhe Qiproja, përsëritën qëndrimet e tyre se “nuk mund të bien dakord me nocionin se vendet e hyrjes së parë, janë të vetmet pika të mundshme grumbullimi, për emigrantët e paligjshëm”. 

Sipas tyre, numri i emigrantëve të pranuar nga vendet e tjera anëtare të BE-së, “përfaqëson vetëm një pjesë shumë të vogël të numrit të emigrantëve të paligjshëm”.

Të katër vendet dënojnë operacionet në det të anijeve private të bamirësisë “që veprojnë në një autonomi totale, duke injoruar autoritetet kompetente shtetërore”. 

Qeveria e re e udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali, bllokoi për një javë grupet humanitare që të shpëtojnë emigrantët në Detin Mesdhe.

Italia argumentoi se vendet me flamurin e të cilëve mbajnë këto anije, duhet të marrin edhe emigrantët. Ky është një pozicion që kundërshtohet ashpër nga grupet humanitare, ekspertët ligjorë, si dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.

Pas injorimit të kërkesave të përsëritura për një port të sigurt, Italia çoi tre anije me emigrantë në një port në Italinë jugore, duke zgjedhur fillimisht për zbarkim vetëm ata që konsideroheshin të pambrojtur, përfshirë të miturit, si dhe personat në kushte të rënduara mjekësore. 

Një anije e katërt, Ocean Viking, mbeti në ujërat ndërkombëtare, e cila më pas mori rrugën drejt Francës, pas gati tre javësh në det. Ajo u ankoruar në portin e Toulonit.

Ky episod çoi në një përplasje diplomatike midis Italisë dhe Francës, pasi kryeministrja e re e Italisë, Giorgia Meloni, falënderoi Parisin për pranimin e emigrantëve, përpara se Franca ta bënte këtë.

Ministri i Brendshëm francez Gerard Darmanin, njoftoi tërheqjen e Francës nga mekanizmi i “solidaritetit”, i miratuar në qershor, për të reduktuar presionin ndaj vendeve të vijës së parë si Greqia, Italia dhe Spanja. Zyrtarët francezë njoftuan kontrolle të reja kufitare me Italinë. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme