Rusia do të zbatojë marrëveshjen për eksportet e grurit ukrainas

Përpjekjet diplomatike kanë shpëtuar sot marrëveshjen, që lejon grurin dhe mallrat e tjera ukrainase, të dalin në tregjet botërore. Rusia deklaroi se do t’i përmbahej marrëveshjes, pasi Ukraina u zotua të mos përdor një korridor në Detin e Zi, për të sulmuar forcat ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se Ukraina zyrtarisht është zotuar ta përdorë korridorin e sigurisë për transport midis Ukrainës jugore dhe Turqisë, “në përputhje me përcaktimet e marrëveshjes”.
“Federata ruse beson se garancitë që ka marrë janë të mjaftueshme. Në këtë mënyrë rifillon zbatimi i marrëveshjes”,- tha ministria, duke shtuar se ndërmjetësimi i Kombeve të Bashkuara dhe i Turqisë, siguroi bashkëpunimin e Rusisë.
Rusia pezulloi zbatimin e marrëveshjes së grurit gjatë fundjavës, duke lëshuar akuza për një sulm me dron ukrainas kundër flotës së saj në Detin e Zi në Krime.
Ukraina nuk e mori përgjegjësinë për sulmin, për të cilin disa zyrtarë ukrainas fajësuan ushtarët rusë që keqpërdorin armët e tyre.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se marrëveshja e rinovuar do të hyjë sërish në fuqi sot, duke i dhënë përparësi dërgesave në vendet afrikane, duke përfshirë Somalinë, Xhibutin dhe Sudanin.
Kjo marrëveshje është në përputhje me shqetësimet që ka Rusia se shumica e grurit të eksportuar nga Ukraina, kishte përfunduar në vendet e pasura, që kur Moska dhe Kievi arritën në korrik marrëveshje të veçanta me Turqinë dhe OKB-në. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




