Vendet e G7-ës zotohen të mbështesin Kievin ushtarakisht dhe financiarisht

Udhëheqësit e grupit të G7-ës, që përbëhet nga vendet më të pasura, deklaruan se do të mbështesin Ukrainën për “për aq kohë sa duhet”. Grupi, i cili u mblodh për bisedime virtuale emergjente, tha se do të vazhdojë të japë ndihma ushtarake dhe humanitare.
NATO deklaroi gjithashtu se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Të paktën 19 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi raketat ruse goditën rajone anembanë Ukrainës, përfshirë Kievin.
Sulmet vazhduan edhe sot. Civilët u këshilluan të qëndronin në strehimoret kundër sulmeve ajrore. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet ishin në hakmarrje për një goditje e një ure kyçe që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën ai fajësoi Ukrainën.
Udhëheqësit perëndimorë ishin të shpejtë në reagimet e tyre, për të dënuar përshkallëzimin rus.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore, si dhe do të qëndrojmë me vendosmëri me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, tha grupi i G&-ës, në një deklaratë për mediat.
Blloku dënoi përpjekjet e fundit të Putinit për të aneksuar katër rajone të Ukrainës me referendume të false. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi nga G7-ta armatime për të forcuar mbrojtjen ajrore. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




