Kriza energjetike/ Gjermania merr kontrollin e 3 rafinerive të naftës në pronësi ruse

Botë | 4 vite më parë

Gjermania ka marrë kontrollin e tre rafinerive të naftës në pronësi ruse në vend për të garantuar sigurinë e energjisë. Dy degë të gjigantit rus të naftës Rosneft Deutschland GmbH dhe RN Refining Marketing GmbH do të vihen nën administrimin e Agjencisë Federale të Rrjetit të Gjermanisë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ky vendim vjen pasi prej kohësh Rusia nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë. Ai shtoi se me marrjen në kontroll të rafinerive Gjermania do të furnizohet me naftë edhe në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

“Ky është një vendim i gjerë i politikës energjetike për të mbrojtur vendin tonë. Ne e dimë prej kohësh se Rusia nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë. Me vendimin e sotëm, ne po sigurojmë që Gjermania të furnizohet me naftë edhe në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, ” tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Rosneft përbën rreth 12% të kapacitetit gjerman të përpunimit të naftës, duke importuar naftë me vlerë disa qindra milionë euro (dollar) çdo muaj.

Kjo masë do të ndihmojë sigurimin e furnizimeve të vazhdueshme me energji dhe fillimisht do të zgjasë  gjashtë muaj.

Rosneft kishte bërë më parë të qartë se nuk kishte ndërmend të ndalonte importet e naftës nëpërmjet tubacionit Druzhba, i cili kalon nga Rusia përmes Ukrainës deri në rafineritë në Evropën Qendrore, pavarësisht nga një embargo e afërt e BE-së që hyn në fuqi më 1 janar 2023.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme