Mbetjet e një rakete kineze pritet të bien në Tokë, zona e mundshme edhe Europa Jugore

Mbetjet nga një raketë kineze pritet të bien në Tokë , ndoshta gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme, sipas Administratës Amerikane të Hapësirës, e cila po ndjek trajektoren e raketës. Mundësia që mbetjet të bien në një zonë banimi vlerësohet të jetë jashtëzakonisht e vogël, por jo e përjashtuar.
Raketa Long March 5B prej 23 tonësh që mbante modulin e laboratorit Wentian u ngrit nga ishulli Hainan më 24 korrik, dhe moduli u ankorua me sukses.
Raketa tashmë është në një zbritje të pakontrolluar në atmosferën e Tokës dhe është e paqartë se ku do të bjerë . Zbritja e pakontrolluar shënon herën e tretë që Kina akuzohet për keqpërdorimin e mbeturinave të saj hapësinore. Qeveria kineze tha të mërkurën se rihyrja e raketës do të përbënte pak rrezik për këdo në tokë, sepse ka të ngjarë të zbarkojë në det.
“Është një objekt metalik 23 tonësh. Edhe pse do të shpërbëhet ndërsa hyn në atmosferë në shumë pjesë, disa prej tyre, mjaft të mëdha, do të arrijnë në sipërfaqe”, tha Michael Byers, profesor në Universitetin e Kolumbisë Britanike dhe autor i një studimi të fundit mbi rrezikun e aksidenteve nga mbeturinat hapësinore.
Zona e mundshme ku mund të bien shtrihet në SHBA , Afrikë , Australi, Brazil , Indi dhe Azinë Juglindore. Janë vlerësuar një sërë trajektoresh të mundshme rihyrjeje, njëra prej të cilave mund të prekë hapësirën ajrore të Evropës Jugore. Zonat që mund të preken janë: Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Malta, Portugalia, Spanja./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




