Rusia shton operacionet, disa raketa godasin Ukrainën

Botë | 4 vite më parë

Rusia ka urdhëruar forcat e saj në Ukrainë që të shtojnë operacionet, tha të shtunën ministria e saj e mbrojtjes, ndërsa raketat goditën vendin nga një seri bombardimesh.

Në sulmet e fundit, raketat goditën qytetin verilindor të Chuhuiv në rajonin e Kharkiv, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur tre të tjerë, tha guvernatori rajonal Oleh Synehubov. 

Në jug, guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko tha se më shumë se 50 raketa ruse Grad ranë në qytetin e Nikopolit, në lumin Dnipro. Dy persona u vranë.

Ukraina thotë se rreth 40 njerëz janë vrarë në sulme të tilla në zonat urbane në tre ditët e fundit, shruan Reuters.

Ministria ruse e mbrojtjes tha në një deklaratë në faqen e saj të internetit se ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu kishte urdhëruar njësitë ushtarake të rrisin operacionet e tyre për të parandaluar sulmet në Ukrainën lindore dhe territore të tjera të kontrolluara nga Rusia.

Shoigu, “ka dhënë udhëzimet e nevojshme për të rritur më tej veprimet e grupeve në të gjitha zonat operative, në mënyrë që të përjashtohet mundësia që regjimi i Kievit të nisë sulme masive me raketa dhe artileri mbi infrastrukturën civile dhe banorët e vendbanimeve në Donbas dhe rajone të tjera”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme