“Ortek” dorëheqjesh në Britani, Johnson: Do të përfundoj mandatin tim deri në fund

Botë | 4 vite më parë

Cikli i dorëheqjeve nga qeveria Johnson vazhdoi edhe të mërkurën, duke e zhytur Britaninë në një krizë të thellë politike, teksa kryeministri i vendit  Boris Johnson  përballet me gjithnjë e më shumë kërkesa për dorëheqjen e tij.

Gjithsej ka pasur 21 dorëheqje nga qeveria në më pak se 24 orë, por vetë Boris Johnson thotë se dëshiron të kryejë mandatin qeverisës që mori deri në fund.

Gjuhë e ashpër u përdor nga ministri i shëndetësisë, Sajid Javid, i cili dha dorëheqjen të martën, ndërsa fliste para Parlamentit britanik. Javid, duke shpjeguar arsyet e largimit të tij, tha se më parë ishte marrë me kryeministrin në mirëbesim, duke pranuar pa dyshim prezumimin e tij të pafajësisë. Megjithatë, siç argumentoi ai, vjen një moment kur duhet thënë “mjaft më mjaft” dhe “jo më shumë”.

“Një ekip është po aq i mirë sa lideri i tij, dhe një lider është po aq i mirë sa ekipi i tij,” tha Javid, duke vënë në dyshim hapur “modelin” e Boris Johnson si një udhëheqës politik.

Pavarësisht “ortekëve” të dorëheqjeve, kryeministri britanik Boris Johnson shprehu të mërkurën vendosmërinë e tij për të vazhduar detyrën.

“Ne do të vazhdojmë të përmbushim mandatin që më është besuar”, tha kreu i qeverisë gjatë seancës javore të pyetjeve në parlament.

“Puna e një kryeministri në rrethana të vështira, kur i është besuar një mandat kolosal, është të vazhdojë dhe këtë do të bëj”, shtoi ai.

Johnson u tha gjithashtu deputetëve se ekonomia po përballej me kohë të vështira dhe pushtimi rus i Ukrainës përfaqësonte luftën më të keqe në Evropë për 80 vjet.

“Kjo është pikërisht koha kur prisni që një qeveri të vazhdojë me punën e saj, jo të largohet, të vazhdojë me punën e saj”, tha Johnson në parlament.

Kryeministri britanik tha gjithashtu se ai e urren ngacmimin dhe abuzimin me pushtetin kur u pyet se pse ai promovoi një deputet konservator pas akuzave për ngacmime seksuale kundër tij.

“Unë e urrej ngacmimin dhe abuzimin me pushtetin kudo që të ndodhë, në këtë parti apo ndonjë parti tjetër”, tha Johnson në parlament kur u pyet se pse Pincher ishte promovuar në këtë post.

Dorëheqjet filluan pas deklaratave të Boris Johnson, i cili e cilësoi të gabuar emërimin e Christopher (Chris) Pincher në qeveri. Më 1 korrik konservatorët pezulluan anëtarësimin në parti të Christopher Pincher i cili u akuzua se kishte goditur me grusht dy burra në gjendje të dehur. Pincher, deri më 30 qershor deputeti përgjegjës për disiplinën partiake, dha dorëheqjen nga ai post, duke përmendur vetëm se “piu shumë” dhe vinte në siklet veten dhe të tjerët.

Sipas mediave britanike, deputeti ka sulmuar seksualisht dy burra në një klub privat në Londër. Në vitin 2017 ai u akuzua për ngacmime seksuale ndaj një sportisti./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme