Mizoritë e Holokaustit, 101-vjeçari ish-roje i kampit të përqendrimit nazist dënohet me 5 vite burg

Botë | 4 vite më parë

Një 101-vjeçar, ish-roje nazist i një kampi përqendrimi, është dënuar me pesë vjet burg nga një gjykatë gjermane, pasi u shpall fajtor për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 3518 personave gjatë Holokaustit.

I moshuari ishte akuzuar në vitin 2021 për ndihmë dhe nxitje “me vetëdije dhe me dashje” në vrasjen e të burgosurve në kampin e përqendrimit Sachsenhausen në Oranienburg, në veri të Berlinit, nga janari 1942 deri në shkurt 1945.

Ai u dënua nga Gjykata Rajonale Neuruppin të martën. Akuzat kishin të bënin me përfshirjen në pushkatimin e të burgosurve sovjetikë të luftës në vitin 1942 dhe ndihmën dhe nxitjen e vrasjes së të burgosurve përmes përdorimit të gazit helmues, si dhe vrasjen e të burgosurve duke krijuar dhe ruajtur kushte armiqësore në kampin Sachsenhausen.

Sachsenhausen u ndërtua nga të burgosurit dhe u hap në vitin 1936. Nga rreth 200,000 të burgosur që kaluan nëpër të, rreth 100,000 mendohet se kanë vdekur atje.

Rreth 6 milionë hebrenj u vranë në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore./ CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme