Përfundojnë bisedimet mes Türkiye-s, NATO-s, Finlandës dhe Suedisë

Bisedimet katërpalëshe midis Türkiye-s, NATO-s, Finlandës dhe Suedisë, të mbajtura në Madrid në margjinat e samitit të NATO-s, kanë përfunduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, diskutuan aplikimet e vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës, si dhe shqetësimet e Ankarasë në lidhje me këtë çështje.
Bisedimet zgjatën gati dy orë.
Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën, vendim që u nxit nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Por Türkiye, një anëtare e kahershme e aleancës, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe për mbështetjen e grupeve terroriste.
Stoltenberg vazhdimisht ka thënë se Türkiye ka “shqetësime legjitime në lidhje me luftën e saj kundër grupit terrorist PKK dhe organizatave të tjera” dhe se PKK konsiderohet një organizatë terroriste nga NATO-ja, Bashkimi Evropian (BE), si dhe Finlanda dhe Suedia.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




