Lavrov në Turqi: Moska nuk po ndalon eksportet e drithërave! Ukraina duhet të çminojë ujërat

Botë | 4 vite më parë

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu në Ankara, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u shpreh se Rusia nuk po ndalon eksportet e drithërave nga Ukraina. Lavrov tha se Ukraina duhet të lejojë anijet të dalin nga portet duke çminuar ujërat, ose duke krijuar korridore të sigurta, raporton CNN.

“Zelensky duhet të japë një udhëzim në mënyrë që portet ukrainase të bëhen të sigurta, dhe Ukraina duhet të çminojë ujërat e saj për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve” tha ministri i jashtëm rus.

Nga ana tjetër Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës Oleg Nikolenko ka reaguar ndaj deklaratave të Lavrov. Në një postim në Twitter Nikolenko  i ka konsideruar boshe qëndrimet e tij për çështjen në fjalë.

“Ukraina e ka bërë të qartë pozicionin e saj për portet detare: nevojiten pajisje ushtarake për të mbrojtur vijën bregdetare dhe një mision detar për të patrulluar rrugët e eksportit në Detin e Zi. Rusia nuk mund të lejohet të përdorë korridoret e grurit për të sulmuar Ukrainën jugore”, shkruan  Nikolenko.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme