Arrestohet në Brazil shefi i Ndrangheta-s, ishte në listën e 10 të kërkuarve më të rrezikshëm

Botë | 5 vite më parë

Shefi i Ndrangheta-s Rocco Morabito u arrestua në Brazil në një operacion të përbashkët nga karabinierët e Ros dhe Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor, me bashkëpunimin e DEA, FBI dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA. Morabito, ishte në kërkim që nga viti 1994. Ai ishte në listën e 10 të arratisurve më të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme italiane.

Bosi ishte arrestuar në vitin 2017 në Uruguaj pas 23 vitesh në arrati, por dy vjet më vonë ai arriti të arratisej nga burgu i Montevideo ku po priste ekstradimin në Itali.

Rocco Morabito u arrestua në një hotel në Joao Pessoa, kryeqyteti i shtetit të Paraiba, së bashku me dy të huaj të tjerë, sipas ministrit brazilian të Drejtësisë, Anderson Torres.

“Arrestimi nga policia federale demonstron, edhe një herë, angazhimin tonë për të luftuar krimin”, tha Torres.

Një tjetër i arratisur, Vincenzo Pasquino, me origjinë nga Torino, gjithashtu i përfshirë në listën e të arratisurve të rrezikshëm, u arrestua me Morabito. Grupi policor i Locri dhe ata të komandave provinciale të Reggio Calabria dhe Torino gjithashtu bashkëpunuan në hetimin që çoi në arrestimin e të dyve./A2


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme