Kinë,vijojnë punët e shpëtimit pas tërmeteve në provincat Yunnan e Qinghai

Në Kinë po vijojnë me intensitet operacionet e shpëtimit pas tërmeteve që goditën provincën jugperëndimore të Yunnan-it të premten dhe atë veriperëndimore të Qinghai-t të shtunën në mëngjes.
Dy tërmete me magnitudë përkatësisht 5.6 dhe 6.4 ballë goditën kontenë autonome të kombësisë yi Yangbi në Yunnan, që shkaktuan tre të vdekur dhe 28 të plagosur, kurse mbi 13 mijë ndërtesa u dëmtuan.
Në provincën Qinghai, një tërmet prej 7.4 ballësh ra në kontenë Maduo të prefekturës autonome të kombësisë tibetiane Golog, duke plagosur 11 veta dhe duke shkatërruar dy ura autostradash. Pas tërmetit,forca të shumta shpëtimi, duke përfshirë pjesëtarë të policisë së armatosur, shkuan me shpejtësi në zonën e goditur nga tërmeti, duke kryer punët e kërkim-shpëtimit, mjekimin e të plagosurve dhe evakuimin urgjent.
Në provincën Yunnan, më shumë se 16 000 veta u janë bashkuar forcave të ndryshme të shpëtimit. Gjithsej 380 pika strehimi janë ngritur në kontenë Yangbi, ku janë vendosur më shumë se 85 000 veta. Në Qinghai, lartësia pranë epiqendrës së tërmetit është 4 230 metra dhe dendësia e popullsisë është e vogël. Punonjësit e shpëtimit kryen operacione kërkimi në shkolla dhe banesa. Njëkohësisht është kryer puna e transferimit dhe zhvendosjes. Janë ngritur tenda dhe janë dërguar batanije, veshje, ushqime e materiale të tjera.
Ministria e Financës dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave kanë dhënë 10 milionë juanë nga fondet qendrore të ndihmës në raste fatkeqësish natyrore për dy provincat të shtunën. Sipas ekspertëve, tërmeti në Qinghai nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me tërmetet në Yunnan.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




