Pentagoni heq Xiaomi-n nga lista e zezë

Pentagoni ka rënë dakord të fshijë prodhuesin kinez të smartphone-ve, Xiaomi, nga lista e zezë e vendosur nga administrata Trump.
Vetëm gjashtë ditë para përfundimit të mandatit të Donald Trump, administrata amerikane përfshiu në listën e zezë Xiaomi-n, por edhe platformën e njohur të videove, TikTok dhe gjigantin e naftës CNOOC, duke i akuzuar ata për lidhje me ushtrinë kineze.
Në apelimin e tij të paraqitur në janar për të kundërshtuar dhe anuluar vendosjen e tij në këtë listë të zezë, Xiaomi e denoncoi vendimin “të pasaktë” dhe që “e privon kompaninë nga procesi i rregullt”.
Më 15 mars, një gjykatës federal në Uashington vendosi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe Thesari, që e kishin vendosur kompaninë kineze në këtë listë të zezë, kishin “dështuar të tregonin se interesat e sigurisë kombëtare në fjalë këtu ishin në rrezik”.
Në një dokument të paraqitur në gjykatë, avokatët e qeverisë amerikane tregojnë se ata nuk do të kundërshtojnë vendimin e gjyqtarit dhe se do të tërheqin klasifikimin si “Shoqëri Ushtarake Komuniste Kineze” që i ishte atribuuar Xiaomi-t nga qeveria amerikane.
Xiaomi, që arriti Apple duke u bërë prodhuesi i tretë më i madh në botë i smartphone-ve në 2020, ishte një nga nëntë kompanitë kineze që u përfshinë në këtë listë të zezë, realizimi përfundimtar i katër viteve tensione diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit nën presidencën e Donald Trump.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




