Shenja përparimi për rikthimin e SHBA në marrëveshjen me Iranin

Diplomatë të lartë nga Kina, Gjermania, Franca, Rusia dhe Britania arritën përparim në bisedimet e së shtunës me synim rikthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e tyre të rëndësishme bërthamore me Iranin, por thanë se u duhet më shumë punë dhe kohë për të arritur një marrëveshje të ardhshme.
Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Rusisë, Mikhail Ulyanov, shkroi në Twitter se anëtarët e Planit të Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit, “vunë në dukje sot përparimin e padiskutueshëm në bisedimet e Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore”.
“Komisioni i Përbashkët do të mblidhet përsëri në fund të javës tjetër,” shkroi Ulyanov. Ndërsa diplomatët e 3 vende europiane u shprehën me tone më të përmbajtura.
“Na mbetet shumë punë dhe pak kohë. Prandaj, do të shpresonim për më shumë përparim këtë javë. Ende nuk kemi arritur në një mirëkuptim për pikat më të rëndësishme. Suksesi nuk është aspak i garantuar, por jo edhe i pamundur” – thanë ata.
Në bisedimet e Vjenës mori pjesë Abbas Araghchi, zëvendës ministri i jashtëm i Iranit.
“Mund të them se tani diskutimet tona kanë arritur një pjekuri, si në temat e diskutueshme ashtu edhe në pjesët për të cilat jemi dakord,” i tha ai TV shtetëror iranian. “Megjithëse nuk mund të parashikojmë ende plotësisht se kur dhe si do të jemi në gjendje të të arrijmë një marrëveshje, ajo po ecën përpara, edhe pse ngadalë,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara nuk kishin përfaqësues në tryezë kur diplomatët u takuan në Vjenë sepse ish-Presidenti Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin nga marrëveshja në vitin 2018. Ai gjithashtu rivendosi dhe rriti sanksionet në përpjekje për të detyruar Iranin që ta rinegociojë paktin me më shumë koncesione.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




