BE synon rritjen e kthimeve vullnetare të migrantëve të parregullt

Komisioni Europian ka prezantuar një strategji që synon të rrisë “kthimet vullnetare” në vendet e tyre të origjinës të migrantëve që nuk janë lejuar të qëndrojnë në BE.
Këto masa janë pjesë e paktit të ri për migracionin dhe azilin, një përpjekje e ekzekutivit europian për të reformuar sistemin aktual, gjashtë vjet pas krizës së migracionit në 2015.
“Këto kthime vullnetare, të cilat vijnë me ndihmë financiare, janë gjithmonë varianti më i mirë”, tha në një deklaratë eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, duke sqaruar se ato ishin më “efikase dhe më pak të kushtueshme”, sesa kthimet e detyruara.
“Vetëm rreth një e treta e personave pa të drejtë qëndrimi në BE kthehen në vendin e tyre të origjinës dhe nga këta më pak se 30% e bëjnë këtë vullnetarisht”, shtoi ajo.
Sipas shifrave nga shërbimet e Parlamentit Europian, një kthim i detyruar, që përfshin veçanërisht ndalimin dhe shoqërimin për personin e kthyer, kushton 3 414 euro, përkundrejt 560 euro për një kthim “vullnetar”.
Agjencia europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare, Frontex, është thirrur të luajë një rol kryesor në këtë kontekst./AFP
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




