Gjermania: Planet ruse për të bllokuar Detin e Zi janë shumë problematike

Botë | 6 vite më parë

Mes tensioneve në rritje për stërvitjet ushtarake të Moskës, Gjermania i ka quajtur “shumë problematike” planet e raportuara ruse për të bllokuar pjesë të Detit të Zi, të cilat së fundi mund të ndikojnë në hyrjen në portet e Ukrainës.

Zv/zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christofer Burger, gazetarëve në Berlin u tha se “kufizimet në të ashtuquajturën kalim paqësor nëpër ujërat bregdetare për një periudhë kaq të gjatë kohore janë të papara dhe shumë problematike sipas ligjit ndërkombëtar”.

“Dhe, për sa u përket ujërave ndërkombëtar dhe ujërave bregdetar të Krimesë së aneksuar, ne e shohim këtë si në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, shtoi Burger.

Rusia, e cila mbështet separistët në Ukrainën lindore, aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Media shtetërore ruse njoftoi se Moska synon të mbyllë pjesë të Detit të Zi për anijet e huaja ushtarake dhe zyrtare për gjashtë muaj, gjë që mund të ndikojë në hyrjen në portet ukrainase në Detin Azov, i cili është i lidhur me Detin e Zi përmes ngushticës Kerç.

Duke cituar një deklaratë nga flota e Rusisë në Detin e Zi, agjencia e lajmeve ‘Interfax’ raportoi se në fillim të këtij muaji mbi 20 anije luftarake ruse kryen stërvitje ushtarake në Detin e Zi.

Rusia ka kufizuar përkohësisht lëvizjen e anijeve të huaja luftarake dhe, siç theksohet, “anijeve të tjera shtetërore” pranë Krimesë.

Në javët e fundit, mes frikës se Moska mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën lindore, Gjermania dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian (BE) vazhdimisht kanë shprehur shqetësime kur bëhet fjalë për ndërtimin ushtarak të Rusisë./AA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme