Britania shpreh ‘mbështetjen e plotë’ për Çekinë për dëbimet e diplomatëve rus

Britania tha se “qëndron në mbështetje të plotë” të aleatëve çekë të cilët kanë dëbuar 18 diplomatë rusë për lidhje të dyshuara me shpërthimin e vitit 2014 në të cilën u vranë dy persona.
Në deklaratën e qeverisë theksohet se dy oficerët e GRU-së (Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Rusisë) të cilët u akuzuan për vrasjen në tentativë të Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury në 2018, ishin gjithashtu pas shpërthimit në qytetin Vrbetice të Çekisë.
Inteligjenca britanike kishte akuzuar shtetasit rus Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov për sulmin me Novichok në Salisbury.
“Britania qëndron në mbështetje të plotë të aleatëve tanë çekë, të cilët kanë ekspozuar shtrirjen që do të bëjnë shërbimet e inteligjencës ruse në përpjekjet e tyre për të kryer operacione të rrezikshme dhe të dëmshme në Evropë”, tha Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab.
“Kjo tregon modelin e sjelljes të Moskës, pas sulmit me Novichok në Salisbury”, shtoi ai.
Duke shprehur ngushëllimet e tij për viktimat çeke të shpërthimit të vitit 2014, Raab tha se Mbretëria e Bashkuar është “aq e vendosur sa kurrë më parë për të sjellë para drejtësisë personat që janë përgjegjës për sulmin në Salisbury dhe rekomandon veprimet e autoriteteve çeke që të bëjnë të njëjtën gjë”.
“Rusia duhet të heqë dorë nga këto veprime, të cilat shkelin normat më themelore ndërkombëtare”, tha ai.
Republika Çeke dëboi 18 diplomatë rusë për lidhje të dyshuara me shpërthimin e vitit 2014, njoftoi kryeministri Andrej Babis të shtunën.
Ka prova të qarta se diplomatët rusë ishin të lidhur me agjentë sekretë rusë dhe ishin të përfshirë në shpërthimin e vitit 2014 në një depo municioni në rajonin e Moravisë Jugore, tha Babis.
Shpërthimi la të vdekur dy persona dhe qindra të tjerë u evakuuan nga rajoni.
Zëvendëskryeministri Jan Hamacek përcolli vendimin në Ambasadën e Rusisë në Pragë, ndërsa është informuar edhe presidenti Milos Zeman, tha ai.
Diplomatëve iu kërkua të largoheshin nga vendi brenda 48 orësh./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




