Kina kundërshton deklaratën e përbashkët ShBA-Japoni

Botë | 6 vite më parë

Pekini shprehu të shtunën kundërshtim të prerë ndaj deklaratës së përbashkët të bërë nga ShBA-ja dhe Japonia mbi çështjet që lidhen me punët e brendshme të Kinës dhe riafirmoi vendosmërinë e Kinës për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj të zhvillimit.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri japonez Yoshihide Suga publikuan një deklaratë të përbashkët të premten, pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ata theksuan planin e tyre për “Indo-Paqësorin” dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi ndikimin e veprimeve të Kinës në rajon. Ata gjithashtu shprehën shqetësime për çështjet mbi Detin e Kinës Lindore, Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin, Hong-Kongun e Xinjiang-un e Kinës.

Në përgjigjen e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës u bëri thirrje ShBA-së dhe Japonisë që t’i përmbahen parimit të “Një Kine” dhe të ndalojnë menjëherë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe dëmtimin e interesave të saj.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha në një deklaratë të shtunën se Tajvani dhe ishujt Diaoyu janë pjesë e territorit kinez. Ai shtoi se çështjet e Hong-Kongut dhe të Xinjiang-ut janë punë të brendshme të Kinës dhe Kina ka sovranitet të padiskutueshëm mbi ishujt në Detin e Kinës Jugore dhe ujërat përreth tyre.

Zëdhënësi theksoi se deklarata e përbashkët e udhëheqësve ShBA-Japoni është ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe shkel rëndë normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme