Pjesëmarrja në zgjedhjet në SHBA, më e larta në 120 vjet

Mbi 160 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA, duke prodhuar shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në 120 vjet. Këto janë të dhënat paraprake të Projektit të Zgjedhjeve në SHBA, mision i të cilit është sigurimi i statistikave zgjedhore.
Sipas këtij Projekti, pjesëmarrja në zgjedhjet e së martës ka qenë 66.9 për qind – më e larta qysh në vitin 1900. Më 1900, pjesëmarrja ka qenë 73.7 për qind dhe presidenti republikan, William McKinley, e ka mundur sfiduesin e tij demokrat, William Jennings Bryan.
“Zgjedhjet presidenciale 2020 kanë pasur pjesëmarrjen më të lartë në 120 vjet”, ka shkruar në Twitter themeluesi i Projektit të Zgjedhjeve, profesori Michael McDonald.
Në garën e sivjetme për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden. Por, rezultati është ende i paqartë, meqë numërimi i votave në disa shtete kyçe është duke vazhduar. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




