Rritje rekord e të ardhurave tatimore

Ekonomi | 2 vite më parë

Edhe pse Ministria e Financave nuk i ka bërë ende të njohur treguesit fiskalë të konsoliduar, arritjet e administratës tatimore shënojnë rekord për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Rritja shënon 285 milionë euro më shumë! 

Ka grumbulluar më shumë se 285 milionë euro, duke shënuar një rritje rekord të të ardhurave. Këta janë treguesit e bërë të njohur nga Drejtoreshë e re e komanduar e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Elidjana Çelaj!

Sipas të dhënave zyrtare, të cilat i disponon edhe RTSH, periudha e gjysmës së parë të këtij viti shënon rekord krahasuar me çdo periudhë respektive të viteve 2021-2023. Sikundër vihet re në grafik, në vitin 2024 janë mbledhur 285 milionë euro më shumë se 6 muajt e vitit 2023, apo 500 milionë euro më shumë se në 2022 dhe 670 milionë euro më shumë se 6 muajt e parë të vitit 2021. Duke treguar një trend rritës në administrimin e të hyrave fiskale.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (ende nuk janë bërë të njohura ato të doganave) rritja rekord e të ardhurave vlerësohet si pasojë e punës këmbëngulëse dhe qasjes këshilluese të Administratës Tatimore ndaj biznesit.
Edhe nëse i referohemi muajve respektive qershor të tre viteve të fundit vihet re se qershor 2024 shënon rreth 7 miliardë lekë më shumë se qershor i dy viteve më parë. Kjo tregon se ka një realizim më të mirë të detyrës, e shoqëruar edhe me tregues të tjerë të ekonomisë shqiptare, ku së pari ndikon rritje ekonomike e ndikuar nga turizmi, i cili po synon një shtrirje gjithvjetore.

Krahas faktorëve të brendshëm, ndikim ka dhënë edhe treguesi i rritjes së investimeve të huaja, si dhe rritja e eksportit të shërbimeve.

Vetëm dy ditë pas emërimit, drejtore e re e komanduar e Tatimeve, Çelaj thirri në takim drejtorët rajonalë dhe një pjesë të ekipit të DPT, për të diskutuar mbi ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe objektivat për realizimin e planit gjatë 6-mujorit të dytë të 2024, si një nga sfidat kryesore të Administratës Tatimore në përmbushje të misionit të saj dhe të vijueshmërisë me ritme të larta të rekordeve historike të arritura në realizimin e të ardhurave, vitet e fundit!

Rritja me 28.5 miliard lekë në 6-mujorin 2024 vlerësohet nga zyrtarët si faktor kyç, që garanton ekonomi të fortë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Pas datës 20 korrik pritet publikimi zyrtar i treguesve fiskalë të konsoliduar, që tregon ecurinë e financave shqiptare për gjsymën e parë të këtij viti.

Gazetar Bardhi Sejdarasi

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme