Miratohet buxheti i bashkisë Korçë – Projekte të rëndësishme për turizmin, teknologjinë dhe edukimin

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Korçës për këtë vit, u miratua buxheti i vitit 2024. Me një vlerë totale prej 2,25 miliardë lekë buxheti i bashkisë së Korçës për vitin 2024 synon realizimin e projekteve të rëndësishme për të mbështetur turizmin, bujqësinë, teknologjinë dhe edukimin:
“Nëpërmjet këtij buxheti ne synojmë të mbështetim sektorët kryesore, prioritar të ekonomisë tonë lokale dhe nëpërmjet këtyre do mbështetim punësimin dhe krijimin e të ardhurave për të gjitha familjet. Synimi i dytë i këtij buxheti është të krijojmë kushtet për të mbajtur të rinjtë dhe të rejat në bashkinë tonë. Këto janë dy sfidat tona”, tha kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.
Buxheti i bashkisë Korçë për vitin 2024 është 8,5% më i lartë se një vit më parë, ndërsa 41,5% e tij do të përdoret për shpenzimet për personelin, 44,8% janë shpenzimet korrente, 12% janë shpenzimet për investime dhe 1,7% e buxhetit do të përdoret për shpenzimet për principalin dhe interesin e kredisë. Buxheti është miratuar vetëm me votat e të majtëve, pasi opozita e ka votuar kundër me arsyetimin se buxheti nuk i plotëson pritshmërinë dhe parashikimet për realizimin e investimeve, ndërsa sipas të djathtëve ky buxhet nuk ka parashikuar përkrahje për shtresat në nevojë, pensionistët dhe të rinjtë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



