Zgjidhen mbikqyrësit e dy loteve 48 milionë euro për ndërtimin e Elbasan-Qafë Thanë

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi dy kompanitë që do të mbikëqyrin kontratat për zgjerimin në lotet III dhe IV në rrugën Elbasan-Qafë Thanë me një vlerë totale prej 48 milionë euro .
Konkretisht bëhet fjalë për ARABEL – STUDIO dhe A & E ENGINEERING sh.p.k. që do të mbikqyrin punimet.
Rruga Elbasan-Qafë Thanë e gjatë 50.12 kilometra, ka nisur tashmë prej disa kohësh dhe në terren po punohet për lotin 1 dhe 2. Kjo rrugë i shërben banorëve jo vetëm të zonës midis Elbasanit dhe Korçës, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe te huaj, të cilët frekuentojnë zonën e Pogradecit dhe Korçës si dhe shtetasve të huaj dhe vendas të cilët lëvizin në drejtim të Greqisë dhe Maqedonisë.
Rruga nacionale ekzistuese Elbasan – Qafë Thanë ka gjerësi totale 9 – 9.5m (8 m gjerësi asfalti dhe bankina me gjerësi 0.5-0.75). Rruga ekzistuese ka nevojë për ndërhyrje në elementët gjeometrik, shtresat rrugore, në sistemin e trotuareve, ndriçimit rrugor të zonave urbane, sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, sinjalistikë vertikale dhe horizontale.
Për shkak se kjo rrugë është gjithashtu pjesë e korridorit 8 dhe duke qenë se pala Maqedonase ka avancuar shumë duke kryer Projekt-Zbatimin e rrugës Qafë-Thanë-Struge-Gostivar me parametrat e një rruge të Kategorisë A, ARRSH nëpërmjet Vendimit të Këshillit Teknik pas miratimit të fazës së Projekt-Idesë, ka vendosur kryerjen e projekt-zbatimit sipas parametrave teknik të Kategorisë B (Interurbane Kryesore ).
Projekti për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe në mes të këtij viti u bë e ditur se pika e daljes në Maqedoni kishte ndryshuar nga projekti fillestar. Kjo pikë e re është e vendosur afër Urës së Bushtricës. Projektit i shtohet një tunel 3 kilometra i gjatë.
Vitin e ardhshëm është parashikuar të nisë projektimi dhe zgjerimi i rrugës nga Elbasani në Lekaj me dalje në Rrogozhinë për të krijuar kështu akses të mirëfilltë në korridorin VIII teksa lidhja do të jetë e dyfishtë edhe përmes Kashar-Lekaj.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




