Samiti Euro-Ballkanik/ Ministeriali i vendeve të rajonit i kushtohet ekonomisë dhe integrimit

Plani i ri i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor ka sjellë në Tiranë, ministra e zyrtarë të BE dhe të Rajonit, që diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Ballkanit dhe për të çuar më tej projektet e Procesit të Berlinit.
Ministerialin Euro-Ballkanik e ka përshëndetur kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Samiti do të duhet të diskutojë për diçka krejt të re, që pesë vite më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të Bashkimit Europian për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, duke u hapur në disa mënyra, që do të na sjellin më pranë BE-së. Ndërkohë sa i përket programit të integrimit në bazë merite, secili vend duhet të bëjë detyrat e veta në shtëpi. Për këtë kemi pritur për një kohë kaq të gjatë dhe kjo është arsyeja pse kemi pritshmëri kaq të larta për planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, që me kaq padurim po e presim,” tha kryeministri Rama.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, duke folur për planin e vitit 2020 dhe mosrealizimin e plotë të tij tha se “bashkëpunimi duhet të përshpjejtojë integrimin në tregun e përbashkët europian, sepse përshpjetimi dhe futja në politikat e BE-së, do të nxisë më tej qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë, duke rritur edhe investimet në rajon.“
Në forumin “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE” u shprehën edhe përfaqësues të Forumit të Investimeve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së vendeve të Ballkanit, të OECD-së, përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian dhe zyrtarë të vendeve të rajonit.
Ky është një treg prej më shumë se 450 milionë konsumatorësh, ku 54 për qind e bizneseve konfirmojnë që jo vetëm do të mbijetojnë, por do të jenë konkurruese, me vendet e Bashkimit Europian.
Ministeriali euro-ballkanik u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Ky ministerial ishte organizim të parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, që i parapriu takimit të krerëve të BE më 16 tetor në kryeqytetin shqiptar.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




