Të martën në Tiranë/ Ministeriali i Ballkanit Perëndimor, në fokus ekonomia

Ekonomi | 3 vite më parë

Forcimi i bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe çuarja më tej e projekteve të Procesi të Berlinit do të sjellë të martën në Tirana krerët e dikastereve të ekonomisë të këtyre vendeve.

Ky ministerial ka në fokus ecurinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme ekonomike, një përpjekje e vazhdueshme e shteteve të Ballkanit, për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, qëllim i së cilës është bashkëpunimi rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me vizionin që të ndihmohen në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimit Evropian.

I nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Anxhela Merkel (Angela Merkel), komponenti më i rëndësishëm i procesit të Berlinit, është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila synon që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes tyre në fushat e transportit dhe energjisë, duke u zgjeruar edhe në bashkëpunimin ekonomik.

Samitet e mbajtura, më herët, në Gjermani, Austri, Francë, Itali etj ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në ideimin e disa projekteve infrastukturore dhe të iniciativave rajonale.

Projektet e miratuara për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së dhe pjesërisht nga vetë këto shtete.

Qeveritë kanë vendosur një rrjet themelor dhe gjithpërfshirës rajonal të infrastrukturës, duke e bërë kështu Ballkanin Perëndimor pjesë të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

Gjithashtu, Procesi i Berlinit ka gjeneruar edhe iniciativa të lidhjeve rajonale, siç janë bashkëpunimi në energji, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), krijimi i një Zone Ekonomike Rajonale dhe nënshkrimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit.

Nuk ka ende një detajim të axhendës së të martës në Tiranë, në ministerialin e krerëve të ekonomisë të rajonit, ndërsa mësohet se zyrtarët shqiptarë janë në minutat e fundit të përgatitjes për një nivel sa më të lartë të samitit.

Procesi i Berlinit nis me Konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në Berlin më Gusht 2014.

 

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme