Biznesi i turizmit ankohet për joformalitetin, njësitë akomoduese dëmtojnë konkurrencën në treg

Ekonomi | 3 vite më parë

Joformaliteti vijon të dëmtojë biznesin e ndershëm që paguan rregullisht taksa, duke ulur konkurrueshmërinë dhe duke dëmtuar konkurrencën e ndershme.

Shqetësimin e sjell për RTSH, Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Kombëtare të Hoteleri-Turizmit.

“47% e të gjithë industrisë akomoduese ishte informale, bëhet fjalë për vila dhe apartamente që kanë filluar të jepen pas pandemisë,” tha Topuzi.

Joformaliteti nuk dëmton vetëm bizneset, por edhe cilësinë e shërbimeve që u ofrohen turistëve, sepse njësitë akomoduese joformale nuk kontrollohen dhe nuk respektojnë asnjë standard.

“Ky informalitet po dëmton rëndë industrinë turistike, pasi janë jashtë sistemit të taksave, të sigurimeve dhe kontrolleve apo certifikimeve, që një hotel ka detyrime ligjore për t’i bërë,” shprehu shqetësimin ai.

Kryetari Topuzi tregon se ka një zgjidhje ligjore, e cila minimizon joformalitetin dhe i sjell kompanitë akomoduese të hoteleri-turizmit në konkurrencë të barabartë.

“Kemi bërë disa takime me ministrinë. Një nga kërkesat ka qenë informimi i booking.com dhe tripadvisor për të regjistruar subjektet që kanë NIPT të tillë. Sipas informacioneve, shkresa është bërë nga ministria, ndërsa ne jemi në pritje që gjatë muajit shtator të merren masa që kjo situatë të mos vazhdojë,” tha ai.

Topuzi thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe shpresojnë në një zgjidhje afatgjatë.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme