Komuniteti i Energjisë vlerëson Shqipërinë

Ekonomi | 3 vite më parë

Komuniteti i Energjisë vlerëson Shqipërinë për hapat e hedhur në fushën e energjisë se rinovueshme. Shqipëria mban presidencën e Komunitetit të Energjisë gjatë këtij viti dhe ka rol kyç në çuarjen përpara të iniciativave.

Kjo është tabela që shoqëron një njoftim të rëndësishëm të Komisionit Europian që i referohet Komunitetit të Energjisë. Komuniteti raporton  se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, sa i përket sektorit energjetik, nuk po arrin afatet e vendosura. Sipas të njëjtit burim, deri në fund të 2023-it, duhej të miratohen legjislacionet përkatëse, për t’u përshtatur me rregullat e BE.

Sipas tabelës, gjashtë vendet nuk kanë dorëzuar akoma draftet. Mësohet se në 2025-ën tregjet europiane dhe ato të Ballkanit Perëndimor, duhet të bashkohen për të avancuar në kapitujt energjitikë.

Në fushën e energjisë së rinovueshme, Shqipëria ka përshtatur një pjesë të kërkesave në ligjin për burimet e rinovueshme, ndërsa vendet e tjera ende nuk kanë marrë hapa konkretë. Asnjë vend nuk ka implementuar dokumentin e arritjes së zero emetimeve të karbonit deri në 2050-ën, siç e ka BE.

Sa i përket ecurisë së vendeve në përpjekjet drejt tranzicionit të energjisë së rinovueshme asnjë nga vendet nuk ka shtuar ndonjë impiant të ri energjie që punon me qymyr apo lëndë të tjera djegëse të dëmshme për mjedisin. Instalimet e bazuara në energjinë diellore, të erës dhe biokarburanteve u rritën pesë herë në pesë vjet, me peshën prej 1% në 2017 duke arritur në 5% të totalit të kapaciteteve të instaluara në 2022.

Shqipëria në këtë aspekt finalizoi edhe ankandet e para eolike me një kapacitet prej 222.6 megavatësh. Gjithashtu vendi ynë në 2022-in renditet i treti në rajon për vetëkonsumin e energjisë, që përfshijnë biznese dhe individë me panele të instaluara.

Dy sfidat e ardhshme dhe të ngutshme sipas Komunitetit të Energjisë për rajonin momentalisht janë vënia në funksion e sistemit të origjinës së produkteve energjetike dhe prezantimi i një mekanizmi që takson kompanitë që emetojnë karbon në atmosferë.

Shqipëria mban presidencën e komunitetit të energjisë gjatë këtij viti dhe ka rol kyç në çuarjen përpara të iniciativave.

Gazetar Bardhi Sejdarasi

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme